Historiku i Fakultetit të Filologjisë

 

Fakulteti i Filologjisë është njësi akademike që vepron në kuadër të kornizës institucionale të Universitetit të Prishtinës dhe ushtron veprimtari në fusha të veçanta të arsimit të lartë akademik dhe në kërkime shkencore, në bazë të Statutit të UP, neni 53.

Misioni i tij themelor është:

- Shkollimi sipëror i të rinjve në fushat e shkencave humane e filologjike;

- Formimi i profesionistëve në disiplina të ndryshme të shkencave albanologjike si dhe në fusha të tjera si ballkanistikë, anglistikë, gjermanistikë, romanistikë, orientalistikë, turkologji dhe gazetari;

- Formimi i përkthyesve dhe interpretëve gjuhësorë për nevoja të shoqërisë dhe të institucioneve të saj nga gjuhët e huaja në shqipe dhe anasjelltas.

Brenda strukturës organizative të Fakultetit të Filologjisë aktualisht veprojnë 8 Degë, të cilat ofrojnë studime të veçanta në nivelin Bachelor dhe Master, ndërkaq studimet e doktoratës që nga viti akademik 2008/09 organizohen në dy fusha të përgjithshme të hulumtimit: në gjuhësi dhe në letërsi për të gjitha degët.

Në kuadër të Fakultetit të Filologjisë funksionojnë këto Degë[1]:

Gjuhë Shqipe,

Letërsi Shqipe,

Gjuhë dhe  Letërsi Angleze,

Gjuhë dhe Letërsi Gjermane,

Gjuhë dhe Letërsi Frënge,

Orientalistikë

Gjuhë dhe Letërsi Turke dhe

Gazetari.

Fakulteti i Filologjisë ka një traditë të konsiderueshme. Katedra e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe, është themeluar në vitin akademik 1960/61 në kuadër të Fakultetit Filozofik të Prishtinës, ndërkaq, po këtë vit, nga degët filologjike, ishte hapur Katedra e Gjuhës Serbokroate dhe e Letërsisë Jugosllave. Një vit më vonë, më 1961/62 janë hapur Katedra e Gjuhës dhe e Letërsisë Angleze dhe ajo e Gjuhës dhe e Letërsisë Ruse. Në vitin 1971 është hapur Katedra e Gjuhës dhe e Letërsisë Frënge, më 1973 ajo e Orientalistikës. Me Statutin e vitit 1973 Fakulteti filloi funksionimin mbi bazën e Degëve (u suprimuan katedrat). Në vitin 1989 u hap Dega e Gjuhës dhe e Letërsisë Turke. Këtë vit Fakulteti u pavarësua si institucion më vete me emërtimin Fakulteti i Filologjisë.

Pas dëbimit me dhunë nga objektet universitare (1991), gjatë kohës së studimit në shtëpi-shkolla, pushoi së vepruari Dega e Gjuhës dhe e Letërsisë Ruse, për shkak të interesimit tejet të pakët për të studiuar në këtë degë. Ndërkaq, edhe pse në kushte tepër të vështira, në vitin akademik 1992/93, u hap Dega e Gjuhës dhe e Letërsisë Gjermane.

 

Nga viti 1974 studimet albanologjike u zhvilluan në dy degë: Gjuhë dhe Letërsi Shqipe dhe Letërsi dhe Gjuhë Shqipe, për t’u profilizuar në vitin 2001 në Dega e Gjuhës Shqipe dhe Dega e Letërsisë Shqipe. Pas luftës u hapën edhe dy degë të reja: Dega e Letërsisë së Përgjithshme dhe Krahasimtare më 2001/2002 (e cila nuk është akredituar fare në procesin e akreditimit të fundit dhe si e tillë nuk regjistron studentë të rinj) dhe Dega e Gazetarisë (2005/2006). Krahas studimeve themelore, më 1970/71, kanë filluar studimet pasuniversitare të Magjistraturës në fushë të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, ndërkaq me zbatimin e planeve të reja mësimore të vitit 2007/08, secila Degë i organizon programet e veçanta të studimeve për nivelin Master.

Gjatë vitit akademik 2010/11 në Fakultetin e Filologjisë janë regjistruar 3309 studentë të rregullt dhe me korrespondencë. Gjatë vitit të fundit akademik (janar 2010 – janar 2011) kanë diplomuar 563 studentë. Në aktivitetin mësimor-shkencor të Fakultetit të Filologjisë japin kontributin e tyre 125 mësimdhënës, 66 të rregullt dhe 59 bashkëpunëtorë të jashtëm.

 

Fakulteti i Filologjisë, në bashkëpunim me Fakultetin e Histori-Filologjisë të Tiranës, organizon çdo vit, në Prishtinë, Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, veprimtari që mbledh albanologët më të njohur të mbarë botës, tash e katër decenie me radhë. Seminari mbahet gjithmonë në dy javët e fundit të muajit gusht. Në të marrin pjesë studentë e studiues nga shtete të ndryshme dhe disa nga këta pjesëmarrës sot janë albanologë të shquar që kanë hapur qendra të albanologjisë në shtetet e tyre përkatëse dhe kanë kontribuar me studime dhe publikime shumë të rëndësishme për albanologjinë. Pas secilit edicion të Semninarit, Fakulteti i Filologjisë boton aktet e tij në dy vëllime, në të cilët përfshihen: ligjëratat, tekstet nga tryezat, referimet nga të gjitha fushat e albanologjisë dhe kumtesat nga sesionet shkencore të gjuhësisë e të letërsisë.

Fakulteti i Filologjisë ka bashkëpunim të rregullt ndërkombëtar me Fakultetet simotra nga hapësirat shqipfolëse (Tiranë, Shkodër, Elbasan, Tetovë, Vlorë, etj.) si dhe të Universiteteve të tjera evropiane brenda kornizave të Marrëveshjeve të bashkëpunimit të UP-së me Universitetin e Graz-it dhe të Vjenës (Austri), të Kozencës, të Palermos dhe të Napolit (Itali), të Sakarias (Turqi), të Zagrebit (Kroaci), etj. Fakulteti i Filologjisë nxjerr rregullisht, për çdo vit, revistën shkencore Filologjia dhe revistën Media.

Objekti i Fakultetit të Filologjisë ka gjithsej 8239.80 m2. Ka 25 salla mësimi të cilat kanë prej 34 deri 90 ulëse për studentë; ka 51 kabinete për profesorët dhe bashkëpunëtorët; dy salla për aktivitete shkencore të pajisura me aparaturë moderne, një qendër të informatikës dhe një studio të gazetarisë. Fakulteti është i përfshirë në programe bashkëpunimi në kuadrin e projekteve të TEMPUS-it dhe në fund të vitit 2009, si rezultat i një bashkëpunimi të tillë, është themeluar Qendra e Gjuhëve.

Shërbimi i studentëve i Fakultetit të Filologjisë përbëhet nga zyrtari për mësim, nga zyrtarë të shërbimit, nga zyrtari për studime master dhe të doktoratës dhe nga arkivisti. Fakulteti i Filologjisë është në proces e sipër të grumbullimit të të dhënave me qëllim të funksionalizimit sa më të shpejtë të procesit të digjitalizimit, i cili do ta lehtësonte dhe do ta bënte më efikas trekëndëshin e komunikimit ndërmjet studentëve, të shërbimit të studentëve dhe të personelit mësimor.



[1] Dega e Letërsisë së Përgjithshme dhe të Krahasuar ofron studime vetëm për vitin e dytë dhe të tretë të studimeve meqë ky program nuk është akredituar gjatë procesit të fundit të akreditimit të vitit 2010.